Tuesday, October 12, 2010

Skenderbeu

Dikur, para pushtimit të Konstandinopolit dhe rënies së principatave lindore, qeveriste në Epir një prijës me emrin Gjon Kastrioti, i cili kishte katër djem. Më i riu i tyre quhej Gjergj, heroi, jetën e të cilit do të përshkruaj këtu. Për lindjen e tij thuhet se kanë ngjarë shumë gjëra të çuditshme, nga ku mund të profetizohet emri i madh, që ai me arritjet e tij do i jepte vetes; thuhet gjithashtu se ai lindi me një shenjë në krah që i ngjante shpatës. Kur Sulltan Murati turk pushtoi thuajse të gjitha vendet rreth Greqisë, iu desh edhe Gjon Kastriotit të nënshtrohej dhe të japë peng birin e tij, Gjergjin, së bashku me vëllezërit e tij. Murati i bëri ata synet sipas mënyrës turke dhe Gjergjit i dha menjëherë një emër tjetër, pikërisht Skënderbeg, sipas Aleksandrit të Madh, ku tregohet, se çfarë përshtypjeje kishte krijuar Sulltani që në fillim për këtë epiriot të ri, dhe ai nuk gaboi. Pasi Gjergji mësoi në fëmijërinë e tij me një shpejtësi të admirueshme shkenca dhe gjuhë të ndryshme, pikërisht turqisht, arabisht, greqisht, italisht dhe ilirisht; dhe kur erdhi pak më shumë në moshë, la të kuptojë se kishte dëshirë të madhe për të mësuar edhe ushtrimet ushtarake, dhe kështu i dha Sulltanit sinjale të tilla, saqë ai e bëri menjëherë Sanxhak, titull ky që ka vlerë thuajse të barabartë me një Pasha. Në moshën 19-vjeçare ai ndoqi luftën në Azi, dhe pas një kohë të shkurtër, atij iu dha komanda e një ushtrie; nga ku ai provoi të tregonte një guxim e kurajo të tillë, saqë emri i tij u bë i njohur anë e mbanë

No comments:

Post a Comment